Share This Post

Dyslexia / Tekste të zgjedhura

Karakteristikat e përbashkëta të disleksikëve sipas Ron Dejvisit

Karakteristikat e përbashkëta të disleksikëve sipas Ron Dejvisit

Sipas metodës së Ron Dejvisit, dislektikët tregojnë minimum 10 nga karakteristikat dhe sjelljet e shënuara në vazhdim të këtij teksti. Këto karakteristika mund të dallojnë nga dita në ditë ose nga minuta në minutë. Ajo që është e përhershme për personat që vuajnë nga disleksia është paqëndrueshmëria e tyre.

Karakteristikat e përgjithshme

  • Duken të kthjellët, inteligjent dhe të artikuluar por nuk mund të lexojnë, shkruajnë ose të lexojnë dhe shkruajnë në përputhshmëri me moshën që kanë;
  • Janë të etiketuar si përtacë, pa interes, pa brenga, të pa pjekur, “nuk përpiqet mjaftueshëm”, “ka sjellje problematike”;
  • Nuk janë “aq të këqij në mësim” sa që të mund të vërehet se u nevojitet ndihmë plotësuese;
  • Kanë nivel të lartë të inteligjencës, gjë që shpeshherë nuk mund të shihet në teste;
  • Ndihen të pavlerë, kokëtrashë dhe kanë nivel të ulët të vetëbesimit; i fshehin ose mbulojnë dobësitë me anë të përdorimit të strategjive gjeniale, si rezultat i të cilave rralle kush mund ti dallojë vështirësitë e tyre;
  • Nervozohen lehtë dhe reagojnë në mënyrë emocionale në shkollë gjatë të lexuarit ose testimit;
  • Kanë talent për art, dramë, muzikë, sport, mekanikë, ritregim, shitje, biznes, projektim, ndërtim apo inxhinieri;
  • Duket se “nuk janë të pranishëm” dhe shpesh fantazojnë;
  • E kanë të vështirë të përqëndrohen; duket se janë “hiperaktiv” ose “ëndërrimtarë”;
  • Mësojnë më mirë nëpërmjet aktiviteteve në të cilat janë të kyçur me anë të veprimeve të tyre, demonstrimeve, eksperimenteve, vëzhgimeve dhe ndihmave vizuale.

Aftësi vizuale, lexim dhe drejtshkrim

  • Gjatë leximit ankohen në marramendje, dhimbje në kokë ose stomak;
  • Janë të hutuar prej shkronjave, numrave, fjalëve, sekuencave ose spjegimit gojor;
  • Gjatë të lexuarit ose shkruarit paraqiten: përsëritje, shtesa, njehsime, lëshime të shkronjave ose numrave, zëvendësim i një shkronje me tjetër, shtrembërim të shkronjave, numrave dhe/ose fjalëve;
  • Ankohen se ndjejnë që po lëkunden, gjë që nuk ekziston gjatë leximit, shkrimit ose përshkrimit ;
  • Duket se kanë probleme me shikimin, por gjatë kontrollit të syve nuk shfaqen probleme me sytë;
  • Janë të vetëdijshëm për njohjen e mjedisit dhe perceptimin e gjërave përreth – vërejnë çdo gjë rreth tyre;
  • Lexojnë dhe rilexojnë por kuptojnë pak.

Dëgjimi dhe të folurit

  • Lehtë dekoncentrohen nga zhurma e jashtme;
  • Kanë dëgjim shumë të mprehtë dhe mund të dëgjojnë tinguj që të tjerët zakonisht nuk mund ti dëgjojnë;
  • E kanë të vështirë mendimet e tyre ti shprehin me fjalë;
  • Flasin me ndërprerje dhe shpeshherë përdorin fraza;
  • Kur flasin nuk i përfundojnë fjalitë;
  • Nga stresi mund të belbëzojnë;
  • Nuk mund të shqiptojnë fjalë të gjata;
  • Gjatë të folurit i zëvendësojnë frazat, fjalët dhe rrokjet.

Të shkruarit dhe aftësitë motorike

  • Kanë vështirësi gjatë shkrimit ose përshkrimit;
  • Mbajnë lapsin në mënyrë të pazakontë;
  • Kanë shkrim të ndryshueshëm dhe të pakuptueshëm;
  • Mund të duken si “të paaftë” ose të pakoordinuar;
  • Vështirë e gjejnë veten në sportet me top;
  • Janë të ndjeshëm ndaj dhimbjeve gjatë lëvizjes;
  • Mund të jenë ambidekster, respektivisht të punojnë në mënyrë të barabartë me të dy duart si me të djathtën ashtu edhe me të majtën;
  • Shpesh i habisin anët djathtë – majtë si dhe pozitat nën – mbi, prej – deri, përpara – mbrapa, para – pas.

Matematika dhe të menaxhuarit me kohën

  • E kanë të vështirë ta tregojnë dhe menaxhojnë kohën;
  • E kanë të vështirë mësimin e informatave ose detyrave të njëpasnjëshme;
  • Demonstrojnë varësi nga të numëruarit me gishta dhe aplikojnë truke të tjera të papërshtatshme për moshën që kanë;
  • Mund ti dinë përgjigjet, por nuk mund ta paraqesin problemin në letër;
  • Mund të njehsojnë, por kanë vështirësi me numërimin e objekteve ose të hollave;
  • Mund ti kuptojnë veprimet themelore matematikore: mbledhje, zbritje, shumëzim dhe pjesëtim.

Kujtesa dhe aftësia për të mësuar

  • Kanë kujtesë të shkëlqyer dhe afatgjate për përvojat, vendet dhe fytyrat;
  • Kanë kujtesë të dobët për sekuenca, fakte dhe informata që vet nuk i kanë përjetuar;
  • Parimisht mendojnë me fotografi dhe ndjenja e jo me tinguj ose fjalë ( te ata i pakët është dialogu me veten).

Sjellja, shëndeti dhe zhvillimi i personalitetit

  • Janë skajshmërish pedant ose nuk janë pedant;
  • Mund të jenë palaçot e klasës, ose tejet problematikë ose tepër të qetë;
  • Mund të kenë fazë jashtëzakonisht të hershme ose të vonshme të zhvillimit ( të folurit, zvarritjen, të ecurit, lidhjen e lidhëzave të këpucëve);
  • Janë të ndjeshëm ndaj infeksioneve të veshit; janë të ndjeshëm ndaj ushqimit, aditivëve dhe prodhimeve kimike;
  • Në përputhshmëri me moshën mund të mos munden ta kontrollojnë urinimin;
  • Kanë një tolerance jashtëzakonisht të lartë ose të ulët për dhimbje(dy skajshmëri);
  • Kanë ndjenjë të fuqishme për drejtësi; janë emocionalisht të ndjeshëm; anojnë kah e përsosura;
  • Gabimet dhe simptomat e hutesës rriten në mënyrë drastike kur ju kufizohet koha për një aktivitet të caktuar, stres emocional ose gjendje e keqe shëndetësore.

Fëmijët dhe të rriturit të cilët vuajnë nga disleksia mund të bëhen lexues  të pasionuar dhe entuziast atëherë kur ju jepen vegla të cilat u përshtaten mënyrës së tyre kreative të mësimit.

Shkruan: Slavica Nikollovska – Trajner i licencuar për korrigjim të disleksisë, disgrafisë, diskalkulisë dhe metodës ADHD/ADD të Ron Dejvisit.

Share This Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>