Share This Post

Dyscalculia

Brajan Batervort rreth diskalkulisë

Brajan Batervort  rreth diskalkulisë

Profesioni i Brajan Batervortit është profesor i neuropsikologjisë konjitive pranë Institutit për neuroshkencën konjitive në Kolegjin universitar në Londër

Takova Çarlsin për herë të parë (ky nuk është emri i tij i vërtetë) kur ishte 30 vjeç dhe ishte veçanërisht krenar me diplomën e tij të psikologjisë. Çarlsi është  i vyeshëm dhe inteligjent, por aftësitë e këqija të tij për punën me numrat dhe me sasitë kanë paraqitur handikap serioz për të çdoherë.  Ai vazhdimisht turpërohej. Nuk i kupton çmimet dhe nuk di fare sa është kostoja totale e prodhimeve që blen.  Kur arrin në arkë nuk din sa të holla duhet ti ofrojë arkëtares, as edhe e din se sa duhet ti kthej ajo.  Çarlsi ende numëron me gishta dhe e ka  të vështirë të bëjë zbritjen e numrave dyshifror si p.sh. 37-19. Ai madje heziton të thotë se numri 9 është më i madh se numri 3.  E kishte të patjetërsueshme të përdorte gishtat e tij për të folur saktë dhe pa gabime. Çarlsi është një shembull tipik për gjendjen e njohur si “diskalkuli”  e cila ndikon në aftësinë për të përvetësuar shkathtësitë aritmetike.  Nxënësit të cilët vuajnë nga diskalkulia kanë vështirësi në të kuptuarit e ideve më të thjeshta lidhur me numrat. Për këta nxënës matematika paraqet burim i një shqetësimi tejet të madh për shkak se ato më vështirë e kuptojnë atë që fëmijëve tjerë u duket tejet e thjeshtë. Për fat të keq, diskalkulia nuk njihet gjerësisht si një vështirësi specifike në mësim dhe gjendja me diskalkuline sot është e njëjtë me atë të disleksisë para 30 vitesh. Mësimdhënësit, prindërit dhe  bota e gjerë ende mendojnë se duet të jeni kokëtrashë për të mos i kuptuar veprimet dhe idetë matematikore, që sipas tyre mësohen lehtë.

Byroja e arsimit dhe shkathtësive në kuadër të Qeverisë së Britanisë e definoi diskalkuline si gjendje e cila ndikon në zotërimin e aftësive aritmetike. Nxënësit të cilët vuajnë nga diskalkulia mund të kenë vështirësi në kuptimin e veprimeve, koncepteve dhe fakteve matematikore. Mund të japin përgjigje të sakta, por atë e bëjnë në mënyrë mekanike dhe nuk dinë të shpjegojnë se si kanë arritur deri te ai rezultat. Kjo na bën të kuptojmë atë që shumë nxënës të cilët vuajnë nga diskalkulia ndjehen njëlloj sikurse Çarlsi. Për ato matematika është e pakuptueshme.

Ekzistojnë shumë pak hulumtime lidhur me natyrën dhe arsyet e paraqitjes së kësaj gjendjeje, pa e kuptuar vetë gjendjen. Është e vështirë tu ndihmohet këtyre fëmijëve të cilët gjenden në një situatë të pafavorshme.  Megjithatë hulumtimet më të reja vijuese sugjerojnë se rreth 5-6% e fëmijëve me inteligjencë mesatare dhe mbi mesatare kanë mungesë specifike gjatë mësimit të lëndës së matematikës. Prania e diskalkulisë është e ngjashme me atë të disleksisë. Rreth 40% të nxënësve të cilët vuajnë nga disleksia, kanë gjithashtu vështirësi në mësimin e lëndës së matematikës, gjë që e vështirëson edhe më shumë gjendjen e tyre.  Kjo mungesë e dyfishtë akoma paraqet mister për shkencën, respektivisht ajo që disa persona të cilat vuajnë nga disleksia janë matematikanë të shquar. Kjo do të thotë që ekzistenca e diskalkulisë nuk ka të bëjë me ekzistencën e diskelsisë.

Krahas faktit që disleksia dhe diskalkulia shpeshherë shkojnë së bashku, ia vlen të përmendet se procesi i mësimit të numrave është i ndryshëm nga ai i mësimit të leximit. Ekzistojnë dëshmi se lindemi me aftësi themelore numerike, respektivisht ndjenjën për numërim. Një nga tezat për shpjegimin e diskalkulisë është mungesa e këtij kapaciteti të lindur. Nga ana tjetër, ne nuk lindemi me kapacitet të specializuar për lexim. Leximi është shkathtësi e ndërlikuar që diktohet nga sisteme të ndryshme të trurit, të cilat kanë për detyrë kryerjen e detyrave tjera siç janë, gjuha, njohja e modeleve vizuale, sekuencimi etj. Disa nga këto aftësi janë të nevojshme për mësimin e lëndës së matematikës, kështu që mangësitë në këto pjesë të trurit gjithashtu mund të ndikojnë në mësimin e kësaj lënde.

Disa nga vështirësitë me matematikën mund të rrjedhin nga disleksia, që do të thotë se nuk është e patjetërsueshme që çdoherë vështirësitë gjatë zotimit të matematikës të jenë të lidhura me diskalkulinë. Ashtu për shembull ato mungesa të cilat janë karakteristike për disleksinë, siç janë kodimi i gjuhës, sekuenca e fjalëve që kanë të bëjnë me numra dhe tabela e shumëzimit, mund të shkaktojnë probleme edhe gjatë mësimit të matematikës.

Ajo që na duhet  urgjentisht është të gjendet metoda për diagnostifikimin e diskalkulisë, duke e ndarë atë nga gjithë arsyet tjera që mund të krijojnë probleme matematikore dhe duke e kyçur këtu edhe mësimdhënien joadekuate. Sapo ti identifikojmë këto fëmijë me siguri do të mund të fillojmë me hulumtim sistematik lidhur me atë se cila është mënyra më e mirë për tu ndihmuar atyre. Çarlsi nuk ishte diagnostifikuar me diskalkuli deri në momentin kur erdhi në laboratorin tonë. Para se të vinte, si edhe shumë persona të tjerë të cilët vuajnë nga diskalkulia, është ndjerë jashtëzakonisht kokëtrashë për shkak se nuk ka qenë në gjendje të kuptojë  gjëra të thjeshta lidhur me matematikën të cilat për të tjerët ka qenë shumë e thjeshtë. Kjo ndjenjë sigurisht që ka pasur ndikim të madh në vetëbesimin e tij. Më vonë e ka kuptuar se nuk bëhet fjalë për budallallëk, por se bëhet fjalë për diçka tjetër, duke mos e ditur se çfarë tjetër mund të jetë. Kjo njohuri i ka ndihmuar në lidhje me vetëbesimin e tij. Nuk e dimë ende numrin e rasteve të diskalkulisë së formës më të rëndë mes nxënësve, si ajo e Çarlsit, por ne edhe më tej punojmë në zbulimin e këtyre rasteve.

Koment nga Shoqata për disleksi – Ajnshtajn, Shkup: hulumtimet rreth diskalkulisë janë nga më të rejat, sidoqoftë është e rëndësishme të përmendet se udhëzuesi i parë për tu ndihmuar nxënësve të cilët vuajnë nga diskalkulia në Britaninë e Madhe, me iniciative të Brajanit dhe Shoqatës Britanike për disleksi u publikua në vitin 2001 dhe u shpërnda në të gjitha shkollat në vend. Në vendin tonë gjithashtu në mënyrë intensive mobilizohen profesionist të cilët do të përgatisin udhëzues i cili do tu ndihmojë nxënësve të cilët vuajnë nga diskalkulia.

Share This Post

Leave a Reply